BULETINI INFORMATIV I PROJEKTIT CREASSE #3

Projekti CREASSE vijon me zhvillime të rëndësishme

Të dashur anëtarë të komunitetit CREASSE,

Vera ka mbërritur më në fund dhe këto muaj janë një moment i mirë për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më tani dhe për të ndarë me ju disa nga zhvillimet kryesore të projektit CREASSE.

Në qendër të aktiviteteve tona të fundit është Përvoja Pilot e të Nxënit mbi Ekonominë Sociale: “Stacionet e të nxënit” për  Ndërgjegjësim, Edukim dhe Trajnim. Programet e zhvillimit të kapaciteteve kanë nisur tashmë në të gjitha vendet partnere Spanjë, Itali, Hungari, Qipro dhe Shqipëri me synimin për të nxitur sipërmarrjen sociale dhe për të sjellë një impakt konkret në komunitetet rurale përmes Ekonomisë Sociale dhe Solidare (ESS).

ASPEKTET KRYESORE TË PËRVOJËS SË TË NXËNIT

Programi bazohet në një metodologji aktive dhe fleksibël të njohur si “Stacionet e të Nxënit” (Learning Stations), një qasje edukative që u mundëson pjesëmarrësve të mësojnë përmes ndërveprimit, punës në grup dhe aplikimit praktik të njohurive. Programi zhvillohet sipas katër fazave kryesore: 

  1. Takime dhe lidhje të reja: Sesionet e rrjetëzimit

Sesionet e rrjetëzimit u organizuan me një qëllim të dyfishtë: nga njëra anë, të bashkojnë persona me frymë sipërmarrëse për të krijuar bashkëpunime dhe aleanca me njëri tjetrin; dhe nga ana tjetër, të mundësojnë shkëmbimin e përvojave, dhe marrjen e feedback-ut nga aktorët kryesorë lokalë për përshpejtimin e zhvillimit të ideve të biznesit të krijuara nga pjesëmarrësit gjatë programit për zhvillimin e kapaciteteve.

  1. Workshop-et tematike

Po zhvillohen një seri workshop-esh tematike, përmes të cilave pjesëmarrësit zhvillojnë aftësi praktike dhe teknike, të nevojshme për zhvillimin dhe menaxhimin e një sipërmarrjeje sociale të qëndrueshme.

Temat përfshijnë:

  • aftësitë personale, sociale, të gjelbërta dhe sipërmarrëse;
  • lidershipin dhe kujdesin ndaj vetes (self-care), përfshirë menaxhimin e kohës;
  • hartimin e modeleve të biznesit dhe planin e biznesit, (vëmendje e veçantë i kushtohet edhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale si një mjet inovativ për të mbështetur procesin e gjenerimit dhe zhvillimit të ideve.);
  • strategjitë e marketingut;
  • format dhe strukturat ligjore të Ekonomisë Sociale dhe Solidare (të përshtatura me kontekstin e secilit vend);
  • analizën ekonomike dhe mënyrat e aksesimit të financimit.
  1. Mbështetje e personalizuar përgjatë rrugëtimit: Sesionet e mentorimit

Për të mbështetur në mënyrë të vazhdueshme zhvillimin e ideve të biznesit dhe për t’iu përgjigjur nevojave specifike të secilit pjesëmarrës, programi ofroi sesione të personalizuara mentorimi për secilën ide biznesi. Këto sesione po krijojnë mundësi për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me mentorë dhe ekspertë të fushës, të cilët ofrojnë orientim dhe këshillim praktik mbi aspekte të rëndësishme të zhvillimit të ideve të tyre të biznesit, si:

  • strategjia e biznesit;
  • marketingu, branding-u dhe pozicionimi i markës;
  • organizimi dhe menaxhimi i ekipit;
  • proceset e menaxhimit dhe financiare;
  • mentaliteti dhe qëndrimi sipërmarrës.
  1. Nga Ideja në Veprim: Eventi Final i Prezantimit të Ideve

Programi do të përmbyllet me organizimin e eventeve lokale, të cilat do t’u japin më shumë vizibilitet dhe njohje ideve sipërmarrëse të zhvilluara gjatë programit.

Gjatë këtyre eventeve, pjesëmarrësit do të prezantojnë publikisht projektet dhe idetë e tyre, duke nxjerrë në pah potencialin e tyre për zhvillimin rural dhe kontributin e mundshëm në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ). Në këtë mënyrë, ata do të paraqesin edhe ndikimin social që zbatimi i këtyre ideve mund të gjenerojë në komunitetet e tyre.

KUSH KA MARRË PJESË NË KËTO INICIATIVA?

Deri më tani, në këto iniciativë janë përfshirë më shumë se 200 pjesëmarrës, të cilët e shohin Ekonominë Sociale dhe Solidare si një mundësi konkrete për zhvillimin e tyre personal dhe profesional.

Pjesëmarrësit vijnë nga përvoja dhe realitete të ndryshme, duke përfshirë:

  • të rinj të papunë;
  • persona të papunë afatgjatë;
  • persona me nivel të ulët ose të mesëm kualifikimi;
  • persona me prejardhje migrante, refugjatë dhe azilkërkues,etj,.

Projekti CREASSE vendos gjithëpërfshirjen dhe diversitetin në qendër të projektit. Për këtë arsye, një vëmendje e veçantë i është kushtuar personave me më pak mundësi dhe atyre në rrezik të përjashtimit social, në zonat rurale të rajoneve ku zbatohet projekti: Extremadura (Spanjë), Tirana (Shqipëri), Nikosia (Qipro), Matera (Itali) dhe zona e Transdanubisë (Hungari).

Synimi është të krijohet një ndikim konkret dhe i qëndrueshëm në zhvillimin rural dhe lokal, duke ofruar mundësi të reja për zhvillim personal, profesional dhe sipërmarrës.

Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth CREASSE ose të përfshiheni në aktivitetet e projektit, lutemi kontaktoni organizatën partnere në vendin tuaj.

Të gjitha informacionet dhe të dhënat e kontaktit mund t’i gjeni në seksionin “Kontaktet” në faqen tonë të internetit: www.creasse.eu/contacts/

Na ndiqni për të zbuluar historitë, bashkëpunimet dhe idetë sipërmarrëse që po marrin jetë përmes CREASSE!