
Buletini Informativ Creasse #1
Hapat e parë drejt një ekonomie më gjithëpërfshirëse në komunitetet tona rurale
Jemi të lumtur të ndajmë me ju rezultatet e para të Creasse Përkushtuar fuqizimit të ekonomisë sociale dhe solidare në zonat rurale në Evropë dhe jo vetëm, projekti ka shënuar tashmë përparim të dukshëm dhe frymëzues që në muajt e parë të zbatimit të tij.





Një hartë evropiane e aleancave në Ekonominë Sociale dhe Solidare

Një nga objektivat tona kryesore është krijimi i një rrjeti të fortë bashkëpunimi midis aktorëve të Ekonomisë Sociale dhe Solidare në zonat rurale në nivel evropian. Me këtë qëllim, zhvilluam takime strategjike në formën e fokus grupeve në të gjitha vendet partnere, duke sjellë së bashku ekspertë, praktikues dhe përfaqësues të organizatave kryesore nga sektori i Ekonomisë Sociale dhe Solidare(ESS).
Pse? Fokus grupet u zhvilluan për të mbledhur informacion të detajuar dhe perspektiva të ndryshme me qëllim përgatitjen e një harte evropiane të aleancave ekzistuese dhe të mundshme midis akorëve të ESS. Kjo hartë synon të identifikojë aktorët, iniciativat dhe mundësitë për sinergji që mund të kontribuojnë në një zhvillim më të qëndrueshëm dhe të ndërlidhur të ekonomisë sociale dhe solidare në zonat rurale. Deri më tani, kemi identifikuar 139 aktorë dhe 83 prej tyre kanë marrë pjesë në fokus grup kafet e organizuara nga partnerët.
Si? Gjatë fokus grupeve u diskutuan tema të rëndësishme si sfidat e përbashkëta, praktikat e mira, boshllëqet ekzistuese dhe strategjitë për të forcuar bashkëpunimin si lokal ashtu edhe atë ndërkombëtar. Pjesëmarrësit ndanë eksperiencat dhe vizionet e tyre, duke ofruar kontribute të vlefshme që do të jenë thelbësore në ndërtimin e hartës, e cila së shpejti do të publikohet online në faqen e internetit të projektit.
Rezultatet fillestare. Komentet dhe sugjerimt e mbledhura ishin jashtëzakonisht të vlefshme dhe të shumëanshme, duke nxjerrë në pah si larminë e iniciativave ekzistuese ashtu edhe nevojën për mjete më efektive që i lidhin dhe mbështesin ato. U evidentua nevoja për rrjetëzim dhe krijimin e lidhjeve që lehtësojnë shkëmbimin e njohurive dhe identifikimin e partnerëve për projektet e ardhshme, si dhe vështirësitë që lindin në nivel burokratik në zhvillimin e aktiviteteve të ekonomisë sociale dhe solidare. Këto të dhëna paraprake do të na mundësojnë të ndërtojmë një hartë që nuk është thjesht një listë kontaktesh, por një mjet dinamik për krijimin e bashkëpunimeve të reja dhe forcimin e atyre ekzistuese.
Ndarja e Historive të Suksesit në Ekonominë Sociale dhe Solidare në nivel Evropian

Rëndësia e Ekonomisë Sociale dhe Solidare po njihet gjithnjë e më shumë në mbarë botën, në fakt viti 2025 është shpallur nga Kombet e Bashkuara si viti ndërkombëtar i kooperativave, me temë ” Kooperativat Ndërtojnë një Botë më të Mirë “.
Me synimin për të promovuar praktikat e mira, për të frymëzuar dhe për të krijuar ndërlidhje në këtë sektor, partnerët e projektit Creasse organziuan eventin online “Zëra që frymëzojnë” dedikuar ndarjes së historive të suksesit nga e gjithë Evropa, të fokusuara në sektorin e ekonomisë sociale dhe solidare, duke përfshirë edhe kooperativat. Qëllimi ishte të dëgjoheshin zëra frymëzues të personave që kanë nisur sipërmarrjet e tyre kolektive, me qëllim aktivizimin e ekosistemit të ESS dhe për të frymëzuar dhe inkurajuar sipërmarrësit aspirantë të nisin biznesin e tyre në një zonë rurale.
Eventimkishte gjithashtu për qëllim të nxirrte në pah ndikimin pozitiv të sipërmarrjeve sociale dhe organizatave duke i bërë përvojat dhe strategjitë e tyre të aksesueshme për një audiencë më të gjerë. Historitë e ndara në këtë event mbuluan një gamë të gjerë sektorësh, nga bujqësia sociale te moda e qëndrueshme, nga prodhimi i artizana lokal te krijimi i sfungjerëve dhe kozmetikës 100% natyrale.
Eventi i regjistruar dhe është i disponueshme në këtë video:
Për të mësuar më shumë rreth eventit, mund të lexoni artikullin këtu .
Ekonomia Sociale dhe Solidare në praktikë: histori nga vizitat studimore

Villartesana de Alburquerque: ëmbëlsira tradicionale në Extremadura. Si pjesë e aktiviteteve të shkëmbimit dhe mësimit në sektorin e Ekonomisë Sociale dhe Solidare, një delegacion nga projekti Creasse mori pjesë në dy vizita studimore të rëndësishme gjatë muajve të fundit. Vizita e parë u zhvillua në furrën tradicionale Villartesana, në Extremadura, Spanjë. Kjo furrë e veçantë dallohet jo vetëm për produktet e saj tradicionale, por edhe për origjinën e saj frymëzuese: ajo u themelua nga dy gra sipërmarrëse përmes një iniciative mikrokrediti.
Gjatë vizitës, ekipi i Creasse pati mundësinë të vëzhgonte nga afër funksionimin e përditshëm të furrës dhe të diskutonte sfidat dhe arritjet e themelueseve të saj. Dy pronaret, Conchi dhe Ana Luz, ndanë eksperiencën e tyre të menaxhimit në fazat e para të rrugëtimit të tyre sipërmarrës, nga mbledhja dhe rikthimi i recetave të vjetra të zonës lokale deri te sigurimi i mbështetjes financiare përmes mikrokreditit.
Matarè: Birrë Artizanale dhe Përfshirje Sociale në Bazilikata. Vizita e dytë studimore u zhvillua së fundmi në Birrarinë Matarè (e vendosur në Matera, Itali), një shembull i shkëlqyer i ekonomisë sociale dhe gjithëpërfshirëse në zonat rurale të rajonit Bazilikata.
Matarè është pjesë e kooperativës sociale MEST dhe operon në fushën e prodhimit të birrës artizanale. Veçantia e tyre qëndron në përdorimin e produkteve bujqësore lokale për të prodhuar të ashtuquajturën birrë bujqësore, duke mbështetur kështu ekonominë lokale dhe duke promovuar praktikat e qëndrueshme bujqësore. Një aspekt tjetër shumë domethënës i aktivitetit të tyre është përkushtimi për përfshirjen sociale të personave në rrezik përjashtimi, përmes ofrimit të mundësive për trajnim praktike në vendin e punës, mentorim dhe punësim të drejtpërdrejtë.
Vizita u lejoi pjesëmarrësve të kuptonin më mirë modelin e biznesit të Matarè-s, misionin dhe vizionin e tyre, strategjitë e prodhimit dhe veçanërisht qasjen e tyre ndaj përfshirjes sociale. Partnerët, gjithashtu patën mundësinë të bashkëbisedonin drejtpërdrejt me Tommaso Padula-n, koordinatorin e fabrikës së birrës, i cili ndau përvojat dhe sfidat e tij ndër vite.
Impakti. Vizitat në Villartesana dhe Matarè ishin vërtet frymëzuese. Ato ofruan shembuj konkret se si një sipërmarrje sociale rurale mund të jetë ekonomikisht e qëndrueshme dhe njëkohësisht të gjenerojë impakt social në komunitet. Mësimet e nxjerra nga këto vizita do të përdoren në aktivitetet e ardhshme të projektit Creasse, me qëllim përhapjen e praktikave të mira dhe inkurajimin e organizatave të tjera për të ndjekur modele zhvillimi gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Falënderojmë Villartesanën dhe Matarèn për mikëpritjen dhe ndarjen e përvojave të tyre të vlefshme!
Këto muaj të parë të projektit Creasse kanë dëshmuar potencialin dhe vitalitetin e Ekonomisë Sociale dhe Solidare në zonat rurale në Evropë. Përmes identifikimit të aleancave, ndarjes së historive të suksesit dhe vizitave studimore frymëzuese, ne po ndërtojmë themelet për një ekosistem më bashkëpunues, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Nëse jeni kurioz të mësoni më shumë rreth Ekonomisë Sociale dhe Solidare, mund të lexoni këtu artikujt që kemi publikuar deri më tani, dhe qëndroni në pritje për më shumë përditësime dhe nisma të reja!